Mino dhe Enzo Raiola kanë mbërritur në Napoli, teksa kanë zhvilluar një takim kokë më kokë me klientin e tyre, njëkohësisht edhe kapitenin e napolitanëve, Lorenzo Insigne.

Ky i fundit nuk po kalon një moment aspak të mirë në skuadrën e kaltër dhe ndryshimet e pozicioneve që i ka propozuar Carlo Ancelotti, kanë bërë që të ulë ndjeshëm rendimentin e tij, ndërsa së fundi është përballur edhe me vërshëllimat e tifozërisë.

Pikërisht për këtë arsye, Insigne ka kërkuar që menaxherët e tij të negociojnë me De Laurentiis, për të mundësuar shitjen e tij në fund të sezonit, diçka që duket një mision i vështirë në aspektin ekonomik.

Kjo pasi klauzola për largimin e Insignes nga Napoli është 100 milionë euro, shifër të cilën asnjë klub i interesuar për sulmuesin, nuk është gati ta paguajë dhe për më tepër, De Laurentiis nuk ka ndërmend të bëjë lëshim.

Megjithatë pas takimit me Insignen, pritet që Raiola të takojë edhe drejtorin sportiv të Napolit, Giuntoli, me të cilin do të flasin jo vetëm për sulmuesin italian, por edhe meksikanin Lozano, i cili është pjesë e PSV-së në Holandë, por ndiqet me interes nga napolitanët.