Prizren

U vazhdohet paraburgimi të dyshuarve për aksidentin në garat automobilistike ku mbetën tre të vdekur

Gjykata Themelore në Prizren, ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit A.S. dhe I.H., të cilët dyshohen se shkaktuan aksidentin në garat automobilistike, ku humbën jetën N.B., M.D., dhe L.S.

Sipas njoftimit, me aktvendimin e kësaj Gjykate, të pandehurve me datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, u ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila masë ishte caktuar deri më datë 16 janar të këtij viti ndaj të pandehurit A.S., kurse të pandehurit I.H., deri më datë 17 janar.

Prokuroria Themelore në Prizren ka propozuar që të pandehurve të i ‘u vazhdohet masa e paraburgimit.

“Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm, pasi që hetimet janë në fazën fillestare, dhe vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm me qëllim të sigurimit të të dyshuarve në procedurë hetimore, sepse me lënien e tyre në liri ekziston rreziku i arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe gjatë fazës së mëtutjeshme hetimore, do të merren në pyetje dëshmitarët okular nga vendi i ngjarjes, dhe do të mblidhen edhe prova të tjera me qëllim të zbardhjes së kësaj çështje penale, andaj nëse ët pandehurit lihen në liri mund të ndikojnë në dëshmitarët eventual, me çka do të pengojnë rrjedhën normale të kësaj procedure penale. Gjykata ka vlerësuar edhe masa tjera alternative, për sigurimin e prezencës së pandehurve dhe mbarëvajtjes së procedurës penale në këtë fazë, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret, vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.

VIDEO BONUS: Marshi për Lulzim Fejzullahun