Trajneri

U shpartallua nga Barcelona, Lopetegui befason me deklaratën në lidhje me dorëheqjen

Reali u shpartallua nga Barcelona me rezultatin 5-1 në “El Clasicco”, duke konfirmuar krizën që po kalon.

Pavarësisht ecurisë negative, trajneri i madrilenëve, Julen Lopetegui, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri spanjoll përsëriti se pret me qetësi vendimin e klub. Ai u shpreh optimist për fatet e sezonit.

“Një humbje është gjithmonë e vështirë, aq më shumë në shtëpinë e Barcelonës. Por kishim raste të pastra për të barazuar ndeshjen e për të ndryshuar fatin e saj. Kjo është një skuadër me probleme, por rezultati përfundimtar nuk reflekton realitetin e ndeshjes.

Nëse nuk kam dhënë dorëheqjen deri tani, atëherë mos e prisni. Unë thjesht dua të rris moralin e lojtarëve të mi. Edhe një herë nuk kemi marrë atë që meritonim. Unë kam besim te ky ekip e këta lojtarë.

Jam i trishtuar, si të gjithë në dhomat e zhveshjeve, por kam forca për të reaguar. Jam trajneri, jemi në tetor, është një goditje e rëndë, por kam forcë. Situata mund të përmbyset, pasi ka kohë dhe ne kemi cilësi. Na kanë prishur punë dëmtimet, ka lojtarë të tjerë të cilët tani po vijnë në formë. Unë kam forcë për të drejtuar ekipin, për këtë nuk kam asnjë dyshim.

Në fund nuk jam unë që marr vendimet. Kam shpjeguar atë që mendoj dhe besimin që kam në këtë ekip. Pjesa tjetër nuk është përgjegjësia ime”, u shpreh Lopetegui.