U shembën shtëpitë, Ahmeti nuk u ndihmon për shkaqe politike (VIDEO)

Lagjja rrezikon të shembet nga rrëshqitja e dheut mirëpo Komuna nuk ndërmerr asgjë.

Kjo është gjendja e njërës prej shtëpive në rrugën Bajram Baftiri, afër fshatit Llukar.

Gati në të njëjtën gjendje janë edhe shtëpitë dhe objektet tjera që gjinden afër saj.

Krejt kjo po del të jetë për shkak të rrëshqitjes se dheut në Kodrën prapa shtëpive.

Familja Azemi, e cila jetonte në njërën nga shtëpitë afër u detyruan të zhvendosen nga aty.

Plasaritja e mureve, shpërthimi i gypave rrezikuan shembjen e shtëpisë.

‘’ Prej vitit 2013-2014 ka filu me rrëshitë komplet kodra, ka rrëshitje të dheut edhe te objekteve ku ka shumë qamje. Kjo shpi ështe tash e pabanueshme sepse ka rrshitë edhe eshte ne pjesën tjetër, jem detyru me dale ne tjetrën shpi 19 anëtar .

Kjo familje u detyrua të mbyll edhe biznesin e tyre.

Ani pse familja Azemi u zhvendosen në një shtëpi tjetër afër, i njëjti fat i përcolli edhe aty.

E frikën më të madhe e kanë fëmijët e familjes të cilët shpesh herë dëgjojnë plasaritjet e mureve gjatë kohës sa janë në gjumë.

E lidhur me këtë shqetësim të familjes, Naser Azemi kishte lajmëruar Komunën e Prishtinës.

Pas daljes në teren për të hetuar rastin, Komuna vendosi që të bëhet një intervenim urgjent.

Por, sipas Azemit ky intervenim nuk u bë asnjëherë.

‘’Institucionet i kemi lajmërua mos te them njo 30 here por kemi has ne vesh te shurdhur. 2014 kur kanë qene vërshimet, na kane jepe nje vendim ose do t’ju rregullojmë ketë vend ose do t’ju shpronësojmë. Na ofruan një qira 25 euro. Nuk kemi mujte me gjete me ate shume te hollave qira. Për shkak se nuk i përkasim kësaj partie, na kane mbylle dyert . Vendim ndikuar politikisht’’

Avokati të cilin familja Azemi e angazhoi, e qoj rastin deri në gjykatë.

‘’Përgjigjja e gjykatës për fat të keq ka qenë negative dhe kam qenë shume i befasuar kur me datë 20 maj 2019 kam marrë aktvendim nga gjyqtarja e rastit Naime Ahmeti e cila arsyeton se refuzohet kërkesa pasi që nuk kanë mundur kjo familje të japin prova të mjaftuara se vërtet janë ne rrezikshmëri të larte”.

Ndërkohë, askush nga Gjykata Themelore e Prishtinës, nuk kishte dal në vend të ngjarjes për të verifikuar rrethanat.

Me këtë çështje është marr edhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Gjatë inspektimit ky institucion kishte vërejtur se këtu për shkak të erozionit të madh të dheut, janë shkaktuar gjithë këto dëme.

Ndërkohë, Ministria e Ambienti kishte thënë se organet përgjegjëse të Komunës së Prishtinës duhet të ndërrmarin masa dhe të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për këtë familje.

T7 ka provuar të marr një përgjigje edhe nga Komuna e Prishtinës, por nga ky institucion nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.