U ndalohet hyrja dhe dalja nga Kosova, alpinistët i shkruajnë letër Osmanit, Kurtit dhe Sveçlës

Ka disa muaj që grupet që turistike, ecësit malor, alpinistët dhe ofruesit e shërbimeve turistike- rekreative në Bjeshkët e Nemuna, nuk po mund të futen në Kosovë e as të dalin nga Kosova përmes kufirit me Shqipërinë apo Malin e Zi.

Që nga viti 2008, lehtësia që këto grupe ta kalojnë kufirin ka qenë e rregulluar me një marrëveshje ndërkufitare mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje rregullonte kalimin e kufirit në zonat e gjelbërta dhe në këtë formë grupeve të ndryshme turistike promovonin turizmin dhe ndihmonon zhvillimin  ekonomik të vendit.

Por këtë mundësi që kishin alpinistët të cilët qarkullimin në zonat malore ndërkufitare dhe kalimin e kufirit jashtë pikave doganore në çdo kohë dhe vend tashmë nuk e kanë.

Ministria e Brendshme e ka shfuqizuar këtë vendim gjë që ka nxiturreagime të alpinistët kosovarë.

Nazmi Hasanramaj, kryetar i Klubit Albin – Prishtina, ka bërë një postim të gjatë në Facebook dhe me këtë i është drejtuar Presidencës së Kosovës, Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ka disa muaj që ky kalim fare normal dhe i rregulluar me ligj nuk lejohet; nuk lejohet nga ana e Policisë Kufitare të Kosovës. Thjeshtë nuk bën.. dhe dëmi në operatorët ekonomik, klubet dhe guidat e pavarura vazhdon të rritet. Nuk e dijmë pse, nuk e dijmë ende kush është duke e penguar fillimin e punës dhe komunikimin e rregullt në mes qytetarëve dhe policisë, nuk e dijmë kush do ta marrë përgjegjësinë për këtë akt të pakuptimtë !”, ka shkruar Hasanramaj.

Postimi i plotë i tijpa ndërhyrje:

Që nga viti 2008 Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëveshje ndërkufitare e cila e rregullon dhe mundëson kalimin e kufirit nëpër zonat e gjelbra. Fjala është për grupet turistike, ecësit malor, alpinistët dhe ofruesit e shërbimeve turistike- rekreative në Bjeshkët e Nemuna; pra është procedurë e rregullt dhe standarde e cila e ndihmon turizmin dhe ekonominë, duke e bërë të mundur qarkullimin në zonat malore ndërkufitare dhe kalimin e kufirit jashtë pikave doganore në çdo kohë dhe vend. Janë shtigje malore turistike që ne i përdorim ndër vite dhe të cilat kalojnë nga shteti në shtet, gjithnjë në shërbim të turizmit dhe rekreacionit; dhe është pikërisht ky rrjet i cili na përfshiu edhe neve në rrjetin ndërkombëtar të shërbimeve turistike.

Nëse aplikon në Policinë Kufitare të Malit të Zi, përgjigjja nuk vonon dhe është gjithnjë pozitive; kështu ka qenë edhe nga ana e Kosovës, gjithnjë Policia jonë Kufitare ka qenë korrekte dhe profesionale… por jo tani !

Ka disa muaj që ky kalim fare normal dhe i rregulluar me ligj nuk lejohet; nuk lejohet nga ana e Policisë Kufitare të Kosovës. Thjeshtë nuk bën.. dhe dëmi në operatorët ekonomik, klubet dhe guidat e pavarura vazhdon të rritet. Nuk e dijmë pse, nuk e dijmë ende kush është duke e penguar fillimin e punës dhe komunikimin e rregullt në mes qytetarëve dhe policisë, nuk e dijmë kush do ta marrë përgjegjësinë për këtë akt të pakuptimtë !

Pandemia e ka goditur sektorin e turizmit aq rëndë sa shumë kolegë definitivish kanë kërkuar të tjera opsione mbijetese, ne të tjerët vazhdojmë përpjekjet për rikthim. Ky rikthim pengohet fuqishëm nga këta faktorë të kombinuar me moskokëçarje të zyrtarëve përgjegjës, nga mos marrja e përgjegjësisë për atë se çfarë është duke ndodhur, nga pamundësia jonë për të gjetur përgjigje.

Rregulloren që ka funksionuar me vite, një praktikë që e ka ndihmuar shumë turizmin dhe ekonominë, ligjin e aprovuar nga tre shtete dhe të proklamuar si sukses i jashtëzakonshëm.. sot Kosova nuk e aplikon më dhe nuk ka përgjigje pse !?. Ne jemi në pritje dhe nuk kemi përgjigje për grupet turistike, nuk mund të marrim vendim dhe të bëjmë marrëveshje turistike.. jemi shkëputur nga zona më e pasur turistike në rajon.

Kush është përgjegjës për dëmin e shkaktuar !?

Kush e merr përsipër rimbursimin e operatorëve të dëmtuar !?

Cila është përgjigjja e juaj dhe kur !?