U mposht nga Lazio, Pioli thotë se Milani po përmirësohet

Stefano Pioli ka këmbëngulur se Milani është duke u përmirësuar dhe nuk ia ka frikën askujt, me gjithë humbjen kundër Lazios 2-1 të dielën në San Siro.

Kuqezinjtë e barazuan përkohësisht rezultatin falë autogolit të Bastos, pas golit hapës të Ciro Immobile, por Joaquin Correa i iku kurthit të pozitës jashtë loje dhe e shënoi golin e fitores kah fundi i pjesës së dytë.

Kjo humbje nënkupton se Milani tani renditet në pozitën e 11-të në Serie A, dhe ngel tetë pikë prapa pozitës së gjashtë.

“Sipas mendimit tim, ekipi po përmirësohet. Natyrisht, ka qenë më rëndësi të fitonim për tabelën dhe situatën në të cilën jemi, por paraqitja ishte e mirë sonte”, tha Pioli për Sky Sport Italia.

“Çfarë mund të bëjmë është të vazhdojmë të përmirësohemi. E pashë një ekip që luftoi për 95 minuta. Ekipi im nuk pati vështirësi, nuk kishte frikë dhe luajti me kokën lart”, shtoi ai.

loading…