Barcelona është mundur nga Valencia në finalen e Kupës së Mbretit dhe kritikat ndaj lojtarëve dhe trajnerit kanë qenë të shumta.

Mes lojtarëve më të akuzuar të katalanasve ka qenë Luis Suarez. Sulmuesi nuk ka qenë në fushë për shkak të një dëmtimi dhe ndërhyrjes kirurgjike që i është nënshtruar.

Kanë qenë të shumtë ata që e kanë akuzuar sulmuesin se mund ta kishte shtyrë operacionin dhe të kishte qenë në fushë për ndeshjen e fundit të sezonit për të ndihmuar Messin me shokë.

Kritika që nuk janë pëlqyer nga uruguaiani, i cili ka dashur të japë një shpjegim në rrjetet sociale.

“Kam pasur disa shqetësime, që kam arritur t’i duroj falë punës së madhe të bërë nga stafi mjekësor. Ky dëmtim, që ka çuar te ndërhyrja, nuk ka lidhje me ato shqetësime, por ka ardhur për shkak të një problemi në menisk, që më është krijuar në ndeshjen kundër Liverpoolit”, ka shkruar Suarez.

“Kam treguar çdo ditë, qëkur kam ardhur në këtë klub, se jam i përfshirë në 100%, se jap gjithçka në stërvitje dhe në çdo ndeshje për këto ngjyra, sepse ka qenë gjithmonë ëndrra ime të jem këtu. Forca Barça”.