U kritikua nga tifozët, Emery mbron Xhakën

Unai Emery e ka mbrojtur kapitenin e Arsenalit, Granit Xhakën, duke e lartësuar për përkushtimin e treguar në barazimin e skuadrës së tij me Manchester Unitedin të hënën në Premierligë.

Xhaka, i cili u konfirmua nga trajneri Emery si kapiten i klubit ditë më parë, është kritikuar ashpër në rrjetet sociale pas golit hapës të Unitedit në Old Trafford.

Arsenali, megjithatë, e ndali Unitedin me barazim 1-1 falë golit të Pierre-Emerick Aubameyang në pjesën e dytë.

Mesfushori i Zvicrës me prejardhje nga Kosova u duk sikur ia liroi rrugën topit të goditur nga Scott McTominay, i cili përfundoi në rrjetën e portës së Lenos. Megjithatë, përsëritjet e ngadalësuara treguan më vonë se topi ishte devijuar pakëz paraprakisht, duke u larguar nga koka e Xhakës.

Trajneri i Arsenalit Emery i ofroi mbështetje të plotë shqiptarit, duke e vlerësuar përkushtimin e tij.

“Ai punoi me përkushtim të madh. Ai vrapoi prapa, mbase ishte i pari që vrapoi në këtë aksion. Nuk e pashë atë rast (dështimin e Xhakës për ta bllokuar topin)”, tha Emery.

“E shikova duke vrapuar prapa dhe mendoj se me atë vrapim ishte i përkryer”, shtoi ai.

loading…