Tyson Fury mendon se Joshua nuk mund të kthehet më

Tyson Fury mendon se karriera e ish-kampionit të unifikuar botëror në kategorinë e peshave të rënda, Anthony Joshua, ka marrë fund.

AJ i humbi titujt IBF, WBA dhe WBO, pas humbjes shokuese me nokaut teknik nga Andy Ruiz Jr në New York më 1 qershor, në një duel në të cilin u rrëzua katër herë.

Pas meçit, Fury i kishte dalë në mbështetje bashkëkombësit të tij duke i thënë që të rikthehej më i fortë, mirëpo në një prononcim të fundit për BBC Sport, Tyson ka thënë se Joshua e ka të vështirë rikthimin.

“Nuk besoj se ai do të kthehet më. Ka mbaruar. Pyeteni secilin top trajner që ka qenë në këtë sport gjatë gjithë jetës. Kur hyri në ring, e pashë që nuk donte të ishte aty”.

“Të gjithë mendonin se ai njeri do të më kishte mposhtur mua. Në cilën botë do të më mposhte mua? Çfarë po shihnin njerëzit? Nuk e di çfarë kanë parë njerëzit, sepse unë nuk e di se në cilën botë do të më kishte mposhtur”, ka thënë Tyson.