Anësori i Romës

Turqia pa yllin kryesor në ndeshjen vendimtare ndaj Shqipërisë

Shqipëria merr menjëherë një lajm shumë të mirë për sfidën e ardhshme ndaj Turqisë që do të jetë përcaktues për fatin e kuqezinjëve në këto eliminatore.

Në Turqi në takimin e 11 tetorit të ardhshëm, skuadrës së Edy Rejas i bën punë vetëm fitorja. Lajmi i mirë ka të bëjë me faktin se përfaqësuesja turke ashtu si në sfidën e parë të zhvilluar në “Loro Boriçi” nuk do të mund të mbështetet te ylli i skuadrës së saj Cengiz Under.

Sulmuesi anësor i Romës i cili u dëmtua pak ditë më parë në stërvitje me kombëtaren turke duke humbur edhe sfidat ndaj Andorrës dhe Moldavisë, do të qëndrojë jashtë fushave të futbollit për minimalisht 5 javë, afat i mjaftueshëm ky për të mos qenë në fushë ndaj kuqezinjëve por edhe ndaj Francës në ndeshjet e tetorit.

Analizat të cilave u është nënshtruar Under gjatë ditës së martë kanë evidentuar një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së djathtë dhe kjo do të thotë që Under do të jetë i gatshëm për Romën pas vetëm 5 javësh duke humbur edhe takimet ndaj Sassuolos, ish skuadrës së tij Istanbul Basaksehir në Europa League, Bolognas, Atalantës, Lecces, Wolfsberger dhe Cagliarit.

Këtu hynë edhe dy sfidat e Turqisë ndaj Shqipërisë dhe Francës në të cilat nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Senol Gunes, me Under që do të riaftësohet plotësisht vetëm pas pauzës së kombëtareve në muajin tetor.

Me Turqinë në këto eliminatore Under ka luajtur shumë pak pasi nga 6 takime në total është aktivizuar për vetëm 85 minuta në fitoren 2-0 ndaj Francës ku ishte vendimtar me një gol, pasi në ndeshjet e tjera ka munguar për shkaqe dëmtimi.

loading…