Turp: Për Arben Beqirin u grumbulluan vetëm 1600 euro, 39 delegatë s’i dhuruan paratë për shërimin e portierit!

Gjatë Kuvendit të sotëm Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës – kryetari i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi i propozoi klubeve që meditjen e marrë nga FFK për zhvillimin e Kuvendit ta dhurojnë për ta ndihmuar portierin e Trepçës 89′, Arben Beqiri – i cili së fundmi është diagnostifikuar me tumor në lukth.

Ky propozim i Remzi Ejupit u përshëndet nga delegatët me duartrokitje, por në fund jo të gjithë dhuran zarfet për ta ndihmuar portierin e njohur kosovar.

Meditja e marrë nga delegatët për këtë Kuvend ishte 100 euro.

Gjithsej 16 delegatë kanë dhuruar të hollat (nga 100 euro) për ta ndihmuar portierin e Trepçës 89′, Arben Beqiri, ndërsa 39 të tjerë të cilët ishin në sallë nuk e bën një gjë të tillë.

Për dhurimin e mjeteve nga vetëm 16 delegatë foli edhe Abedin Zeka (kryetar i Trepçës 89′) i cili ishte shumë mirënjohës për nismën e Remzi Ejupit (kryetar i FC Prishtina), por jo edhe përkrahjen e delegatëve.

“39 delegatë nuk i kanë dhënë paratë – 16 delegatë kanë dhënë para. Unë çfarë kam mundur të shoh se kush ka dhënë para jashtë Superligës kanë qenë klubi i Ramiz Sadikut, 2 Korrikut dhe Trepça”, tha Abedin Zeka.

“I falënderohem shumë Remzi Ejupit për propozimin. Ne kemi menduar që do të grumbullojmë rreth 6 mijë euro, por u pa që ata delegatë nuk janë në gjendje as 100 euro t’i japin për shërim, megjithatë ai është  vetëm vullnet i të gjithëve”, përfundoi Abedin Zeka.