Talenti francez

Tuchel thotë se Mbappe do të bëhet futbollisti më i mirë në botë

Trajneri i Paris Saint Germain, Thomas Tuchel beson se Kylian Mbappe do të bëhet futbollisti më i mirë në botë teksa ka thënë se 19 vjeçari duhet të përmirësohet në secilin aspekt.

Mbappe e ka nisur sezonin në mënyrë të mrekullueshme duke shënuar 13 gola në 11 paraqitje me PSG-në në të gjitha kompeticionet.

Sidoqoftë sulmuesi i kombëtares franceze është kritikuar nga legjenda e Barcelonës, Xavi Hernandez me këtë të fundit që ka theksuar se Mbappes i mungon pjekja futbollistike.

Tuchel e ka mbështetur këtë mendim të Xavit teksa ka shtuar se është normale që një futbollist 19 vjeçar të ketë hapësira të përmirësimit.

“Për të është normale të përmirësohet, është vetëm 19 vjeçar. Mbappe është i mrekullueshëm. Ai është njëri prej futbollistëve më të mirë në botë dhe do të bëhet më i miri. Xavi ka të drejtë, kur je 19 vjeçar duhesh të përmirësohesh në secilin aspekt”, tha Tuchel.

Paris Saint Germain takohet sonte me Napolin në “San Paolo” në xhiron e 4-të të fazës së grupeve të Champions League, me parisienët që ndodhen në pozitën e 3-të me 4 pikë, 1 më pak se Napolin në vendin e dytë.