Sulmuesi brazilian

Tuchel pret që Neymar të jetë i gatshëm për ndeshjen me Crvena Zvezdën

Ylli brazilain, Neymar mungoi në ndeshjen e fundit në Ligue 1 ndaj Strasbourgut, por trajneri i Paris Saint Germanin, Thomas Tuchel beson se 26 vjeçari do të aktivizohet në udhëtimin drejt Beogradit për t’u ballafaquar me Crvena Zvezdën.

Neymar kishte një problem në ijë duke i ndikuar të mos jetë në maksimumin e tij në aspektin fizik, por ndeshja e anuluar ndaj Montpellierit gjatë fundjavës së kaluar për shkak të protestave në Francë, i ka ndihmuar ish lojtarit të Barcelonës për t’u riaftësuar.

“Neymar ka stërvitur me skuadrën dhe do të jetë në fushë kundër Crvena Zvezdës. Nuk e kam vendosur ende se kush do të luajë në portë. Të stërvitemi në fushën e Crvena Zvezdës është një mundësi e mirë për të ndjerë fushën dhe të adaptohemi me të”, nënvizoi Tuchel.

Sulmuesi francez, Kylian Mbappe mendon se rikthimi i Neymarit është një shtysë shtesë për skuadrën, ndërsa talentit të PSG-së nuk i bën përshypje atmosfera në Beograd, duke thënë se është mësuar me gjëra të tilla edhe në ndeshjet tjera të grupit.

Paris Saint Germainit i duhet vetëm fitorja për të siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të Champions Leagues, kurse Crvena Zvezda ka ende gjasa për të përfunduar grupin në vendin e tretë dhe të kualifikohet për në Europa League.