Mesfushori i Manchester Unitedi, Casemiro, është shfaqur si një objektiv për trajnerin e Bayernit, Tomas Tuchel, sipas informacioneve të revistës “Kicker”.

Braziliani u transferua në “Old Trafford” verën e kaluar për 70 milionë paund nga Reali i Madridit dhe prej atëherë është konfirmuar si një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Erik ten Hagut, duke ndihmuar klubin që të fitojë Kupën e Ligës, shkuar në finalen e Kupës FA dhe luftuar për një prej 4 vendeve të para në Premier Ligë. Pavarësisht se mori dy kartonë të kuq vetëm në vitin 2023, braziliani konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Junajtidit, duke ofruar mbulim perfekt për Eriksenin dhe Fernandeshin në mesfushë.

Por revista gjermane raportonte se trajneri gjerman mendon të përforcojë skuadrën e tij në merkaton e verës, e cila është duke kaluar një krizë të vërtetë që pas shkarkimit të Julian Nagelsmanit dhe ai e ka identifikuar Kasemiron si objektivin e tij kryesor për mesfushën e kampionëve të Gjermanisë.