Trajneri i Paris Saint Germain, Thomas Tuchel ka zbuluar se dyshja e sulmit, Neymar dhe Mbappe do të mungojnë në ndeshjen e kësaj fundjave në Ligue 1 kundër Toulouse, por beson se mund të rikthehen për takimin vendimtar në Champions League ndaj Liverpoolit.
Neymar i zhvilloi vetëm 8 minuta në ndeshjen miqësore që Brazili e zhvilloi me Kamerunin për shkak të lëndimit në ijë, kurse gjithashtu edhe Mbappe u dëmtua në sfidën miqësore me Uruguain.
“Gjëja pozitive me lëndimet e Neymarit dhe Mbappes është se nuk janë serioze. Por nuk do të marrim rreziqe nesër. Ata nuk do të luajnë nesër, por mundësitë janë që ndaj Liverpoolit të jenë në fushë. Ky është mendimi im, kam folur me doktorin dhe futbollistët, mendoj se do të mund të luajnë”, theksoi Tuchel.
Trajneri gjerman shtoi se nuk është hera e parë që do të luajnë pa Neymarin dhe Mbappen derisa do të gjejnë zëvendësimin dhe zgjidhjen te top lojtarët që ka në dispozicion.
PSG-ja të mërkurën pret Liverpoolin në “Parc des Princes” në ndeshjen që mund të vendos shumë për fatin e klubeve që do të kualifikohen për në fazën tjetër, teksa Liverpooli kryeson grupin me 6 pikë një më shumë francezët.







