NATO

Trupa të NATO-s në Ukrainë?, Zelensky: Duam veprime tani, po përballemi me Hitlerin II

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama pas samitit për Ukrainën, presidenti Volodymyr Zelensky u pyet lidhur me sugjerimin e presidentit të Francës Emanuel Macron për mundësinë e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë.

Zelensky ka thënë se kishte pasur një takim shumë të mirë me Macron, i cili siç u shpreh kishte një sërë nismash shumë të mira për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës.

Ai ka deklaruar se Ukrainës i duhet të mbijetojë përballë një vrasësi siç është Putin, që e cilësoi vetë ai si “Hitleri i dytë”, ndaj sipas tij, për këtë, ka nevojë për vendime konkrete dhe në kohë.

“Kam pasur një takim shumë të mirë me Macron dhe ishte një takim me shumë nisma. Jo një nismë, por shumë dhe do të flas për të gjitha ato, koalicioni për artilerinë. Gjëra shumë konkrete. Ne duhet të mbrohemi dhe kjo do të thotë që duhet të kemi vendime konkrete. Ne na duhet që të mbijetojmë, kjo do të thotë që gjithçka, çdo lloj ndihme duhet të na arrijë në kohë. Kjo është nisma më e mirë e të gjithave, që të na i sillni armatimet në kohë. Nëse është marrë vendimi që do na mbështesni, nëse do fitojmë apo jo kjo varet nga kjo pikë. Të gjithë ne duhet të përballemi me një vrasës. Hitleri 2, nëse po flasim për Netflix. Është një rrezik i madh që i kanoset jetës sonë, të gjithë duhet të përgatitemi që të jemi të fortë, për hapat e tjerë që do marrë Putin. Nëse nuk e bëjmë këtë ose nëse duam që ai mos t’ia dalë mbanë ne duhet të përgatitemi për luftë, me armatime. Ne dua të jemi të fortë, ne Putin do ta mundim”, ka deklaruar Zelensky.

VIDEO BONUS: Zelensky takohet me Ramën në Tiranë para Samitit për Ukrainën