Trumpi, nikoqir i ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes Izrael-Emirate të Bashkuara Arabe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të jetë më 15 shtator nikoqir i ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në Lindjen e Mesme që normalizon raportet midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ka deklaruar të martën një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Në kuadër të marrëveshjes së paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë më 13 gusht, pas atyre që zyrtarët kanë thënë se janë 18 muaj bisedime, Emiratet e Bashkuara Arabe janë pajtuar që t’i normalizojnë raportet me Izraelin.

Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kusht anonimiteti, ka thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Abdullah bin Zayed al-Nahyan, do t’i udhëheqin dy delegacionet në ceremoni.