Trump nuk vendos ta sulmojë Iranin, por i vë sanksione ndëshkuese ekonomike

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një adresim para mediave, ka thënë se si pasojë e sulmit të mbrëmshëm ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak nga regjimi i Iranit, SHBA-ja do të vë sanksione ndëshkuese ekonomike ndaj këtij vendi.

Ai po ashtu tha se “për sa të jem unë president i SHBA-së, Irani nuk do të ketë armë bërthamore”.

“Asnjë amerikan nuk u lëndua në sulmin e mbrëmshëm nga regjimi iranian. Është shkaktuar dëm minimal në bazat tona ushtarake. Forcat tona të mëdha ushtarake janë të gatshme për çdo gjë. Asnjë jetë amerikane apo irakiane nuk është humbur. Sistemi i paralajmërimit të hershëm ka funksionuar për mrekulli. Irani ka qenë sponsorizuesi kryesor i terrorizmit. Soleimani ka qenë përgjegjës për disa prej sulmeve më të tmerrshme. Ka ndërmarrë sulme terroriste ndaj civilëve. Ai po planifikonte sulme të reja ndaj caqeve amerikane, por ne e ndaluam atë. Ai është dashur të ndalohej kohë më parë. Me këtë akt u kemi dërguar porosi të qartë ndaj terroristëve: nëse i vlerësoni jetët tuaja, nuk do t’i kërcënoni jetët e popujve tanë. SHBA-ja do të vendosë menjëherë sanskione ndëshkuese ekonomike ndaj regjimit të Iranit, dhe këto do të mbesin të tilla derisa Irani nuk do të ndryshojë sjelljen”, deklaroi Trumpi gjatë kësaj konference për media.