Bujanoci

Tri parti shqiptare në Bujanoc bëjnë koalicion për zgjedhjet e 2 qershorit, të parës i takon Kryetari

Tri partitë e mëdha në Bujanoc, Partia Demokratike, Partia për Veprim Demokratik dhe Lëvizja e Progresit Demokratik kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni paszgjedhor për zgjedhjet e 2 qershorit në Bujanoc

Marrëveshja është nënshkruar në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, kryetari i së cilit edhe ishte iniciator i kësaj marrëveshje.

Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar nga Nagip Arifi, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Musliu, bashkë me Kryetarin e KKSH-së, Nevzad Lutfiu, është që pas zgjedhjeve të 2 qershorit këto parti do të qeverisin së bashku duke respektuar fituesin të cilit do t’i takojë kryetari i komunës.

E vetmja parti e cila nuk u bashkua me partitë shqiptare është Alternativa për Ndryshim e ish-kryetarit Shqiprim Arifi e cila në Bujanoc udhëhiqet nga Arbër Pajaziti.

Liderët nënshkrues në një konferencë për media konfirmuan se ky koalicion ka përkrahjen e parezervë të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Siç shkruan RTV Presheva, me arritjen e kësaj marrëveshje tani më është e sigurt që Bujanoci edhe në katër vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga partitë shqiptare.