Tre të vdekur e dhjetë të plagosur në rrahjet para derbit të Hondurasit

Tre persona kanë humbur jetën dhe së paku dhjetë janë lënduar në trazirat e së shtunës mbrëma, para një ndeshjeje futbolli mes dy skuadrave rivale. Te incidenti tragjik erdhi pasi që tifozët kishin sulmuar një autobus që barte një nga skuadrat për në stadium, duke lënduar tre lojtarë e zyrtarë.

Tifozët e skuadrave të futbollit Olimpia dhe Motagua, rival të përbetuar të futbollit në Honduras, nisën rrahjet jashtë stadiumit nacional në Tegucigalpa pasi një grup që besohet se përbëhej nga tifozë rivalë kishte prerë rrugën dhe kishte sulmuar autobusin që barte skuadrën Motagua, njofton policia.

“Tre persona kanë humbur jetën, shtatë janë qëlluar me armë apo janë therur me thikë. Një nga ta është i vogël në moshë. Tre të rritur janë në gjendje kritike”, ka njoftuar Laura Schoenherr, zëdhënëse e Spitalit Universitar në Tegucigalpa, shkruan Reuters.

Gjithçka kishte nisur kur tifozët nisën të hidhnin gurë drejt autobusit që barte skuadrën Motagua, duke thyer xhamat e autobusit dhe duke lënduar lojtarë e zyrtarë, ka njoftuar klubi Motagua. Klubi ka fajësuar tifozët ultras të Olimpias për ngjarjen.

“Kjo duhet të ketë pasoja të rënda nga autoritetet përgjegjëse”, është shkruar në Twitter nga klubi Motagua.

Tre lojtarë – Emilio Izaguirre, Roberto Moreira dhe Jonathan Rougier – janë dërguar në spital për lëndime në fytyrë, sipas klubit Motagua.

Në një video të publikuar online shihen lojtarët me uniforma të shtrirë përtokë pas sulmit të autobusit.

Në një deklaratë të Ministrisë së Sigurisë është konfirmuar sulmi i autobusit dhe është thënë se sulmuesit mbanin fanellat e skuadrës rivale Olimpia. Ministria ka shtuar se kishte vendosur një siguri prej pesë unazave para ndeshjes.

Ndeshja është pezulluar pas incidentit. Ishte paraparë të ishin prezentë 20 mijë shikues.

Presidenti i Olimpias, Rafael Villeda, ka thënë për mediumet lokale se do të takohet me lidershipin e ligës së Hondurasit dhe po ashtu me krerët e klubit Motagua për të vendosur për të ardhmen e ndeshjes.

loading…