Tre pjesëtarë të familjes shqiptare vdesin në një aksident në Greqi, shpëton i mituri

Tre shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident në Greqi, e ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Viktimat dhe i plagosuri ishin pjesëtarë të së njëjtës familje.

Aksidenti ka ndodhur mesditën e sotme, në aksin rrugur Xyniada – Domokou, në Greqinë qendrore, pak pa hyrë në autostradë.

I vdekur mbeti shoferi i makinës, 45 vjeç, bashkëshortja e tij 44 vjeçe dhe vajza e tyre 21 vjeçe. I plagosur rëndë ka mbetur djali 18-vjeçar i çiftit.

Sipas raportimeve të mediave greke, ata jetonin në Chalandri të Athinës dhe po udhëtonin drejt Shqipërisë.

Shkaku i aksidentit ka qenë përplasja e kësaj makine me katër pasagjerë, me një automjet-cisternë që transportonte gaz.

Nga autoritetet greke mësohet se përplasja ka qenë e ashpër dhe zjarrfikësve e ekipeve të shpëtimit u janë dashur shumë orë përpjekje për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurin.