Tre ministra të qeverisë Hoti punësojnë veten në bordin e FSSH-së, paga deri 850 euro

Nuk po i mjaftojnë vetëm pagat e majme e privilegjet qe i gëzojnë nga pozitat e ministrave.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministrja e financave, Hykmete Bajrami dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica e kanë nxjerrë edhe nga një pagë tjetër nga buxheti i shtetit. Janë punësuar në Bordin Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në krye të së cilës është vetë Armend Zemaj.

Për këtë ministrat në fjalë marrin kompensim për punën e tyre deri në 850 euro në muaj.

Ministri Zemaj është vetë emëruar drejtues i këtij Bordi, ndërsa Hykmete Bajrami dhe Skënder Reçica janë emëruar anëtarë të Bordit, shkruan gazeta infokus.

Këtë e kanë konfirmuar edhe në Fondin për Sigurime Shëndetësore.

“Janë shtatë (7) anëtar. Institucionet gjegjëse, në bazë të Ligjit për Sigurime shëndetësorë Nr. NR. 04/L -249 dërgojnë nga një anëtar, emrat e të cilëve janë të publikuar në ëeb-faqen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pagesa për kompensimin për punën e Bordit Drejtues të Fondit është e përcaktuar me vendimin e qeverisë Nr. 05/66 datë: 18.09.2018”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Fondittë Sigurime Shëndetësore.

E sipas vendimit numër 05/66 të qeverisë së Kosovës, i cili hyri në fuqi nga viti 2018, si kryesues i Bordit, kompensimi për punën është 850 euro ndërsa si anëtarë i bordit të FSHS-së, kompensimi është 750 euro.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësorë përbëhet nga 7 anëtarë.

Anëtarë të tjerë të bordit janë Rrezart Halili, Murat Berisha, Bujar Gashi, Muhamedali Kodra.

Fondi i Sigurimeve është institucion publik i sigurimit shëndetësor me statusin e personit juridik me të drejta, obligime, përgjegjësi dhe autorizime të veçanta për zbatim të këtij ligji në emër të siguruarve përfshirë mbledhjen efektive të mjeteve financiare për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga institucionet shëndetësore në të gjitha format e pronësisë.

Gazeta inFokus ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë ë Financave në lidhje me këtë çështje por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.