Kanë kaluar rreth tri javë që kur dështoi transferimi i Fisnik Asllanit nga Hoffenheimi te Leipzigu, por situata rreth sulmuesit kosovar vazhdon të mbetet e paqartë.
Asllani ishte shumë pranë kalimit te Leipzigu, mirëpo marrëveshja u ndërpre pasi klubi i ri ngriti shqetësime gjatë kontrolleve mjekësore.
24-vjeçari më pas mungoi në ndeshjen e Kupës dhe në sfidën hapëse të Bundesligës ndaj Kolnit, duke shtuar pikëpyetjet rreth gjendjes së tij fizike.
Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, ka bërë të ditur se Asllanit i duhet ende kohë për t’u rikthyer në ngarkesat e plota stërvitore.
“Do të duhet ende pak kohë për Fisin. Ngarkesa e tij do të rritet gradualisht dhe do të futet në stërvitjen e ekipit”, deklaroi Ilzer.
Sipas tij, Asllani ka pasur një problem me një masë indi dhjamor në pjesën e përparme të gjurit, çka ka ndikuar në procesin e rikthimit.
Edhe drejtori sportiv Andreas Schicker ka shpjeguar se sulmuesi kosovar nuk ishte përfshirë plotësisht në fazën përgatitore për shkak të transferimit të planifikuar.
“Po e rikthejmë me një menaxhim të kujdesshëm të ngarkesës dhe po i japim kohën që të tjerët kanë pasur tashmë”, tha Schicker.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse problemi i gjurit i përmendur nga Hoffenheimi është i njëjti shqetësim që ndikoi në dështimin e transferimit te Leipzigu.
Për momentin, Asllani vazhdon të jetë jashtë skuadrës dhe rikthimi i tij i plotë nuk pritet të ndodhë menjëherë.







