Në mbledhjen e fundit të dy qeverive që u mbajt kohë më parë në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë deklaroi se do t`i lehtësojë masat administrative për automjetet komerciale në pikat kufitare Kosovë-Shqipëri.
Disa nga transportuesit thonë se ka lëvizur diçka pozitive në këtë drejtim.
Por ata që kanë punuar mbi një dekadë në këtë punë thonë se deklaratat që dolën nga mbledhjet e qeverive janë vetëm politike.
Për transportuesit që punojnë me portin e Durrësit, ndalesat në pikën e Vërmicës ndonjëherë janë më të gjata se atje.
Pikat doganore të Kosovës dhe Shqipërisë në Vërmicë nuk japin ndonjë informacion se çfarë masash u lehtësuan.
Në mbledhjen e dy qeverive, ministri Murati ka dhënë disa arsye të mosbashkëpunimit për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar.
Ndërkaq , ministrja e Shqipërisë Dalina Ibrahimaj, ka shprehur keqardhjen që në këtë mbledhje nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshjen për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar.
Ajo e dha këtë deklaratë pasi tha se u informua nga ministri për disa teknikalitete të cilat nuk e lejojnë këtë.
Ajo shpreson që këto teknikalitete të mund të zgjidhen përpara mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, pasi është një marrëveshje shumë e rëndësishme për bizneset më të mëdha të Shqipërisë dhe të Kosovës, e cilat do t’i lejojë që të kalojnë pikat doganore pa asnjë lloj kontrolli. /Rtk







