Transferimi i Paqaradës te Koelni mund të mos realizohet

Për momentin, Koelni nuk ka të drejtë të transferojë futbollistë në afatin kalimtar të verës dhe të dimrit, për shkak të sanksioneve që ka marrë nga FIFA.

Dhe për këtë arsye, transferimi i Leart Paqaradës mund të mos realizohet.

Paqarada aktualisht është pjesë e St. Paulit në Bundesliga 2, por punë e kryer ishte transferimi i tij te skuadra e Koelnit të Bundesligës.

Koelni ka thënë të mërkurën se do të ankohet në Gjykatën Sportive (CAS).

“Në parim, Leart Paqarada ka kontratë valide, por nëse ky vendim mbetet, ai nuk do të ketë të drejtë të luajë për Koelnin nga 1 korriku i vitit 2023”, ka thënë të enjten drejtori menaxhues i Koelnit, Christian Keller.

Paqarada u transferua te St. Pauli nga skuadra e Sandhausenit në vitin 2020.

Në edicionin aktual, mbrojtësi i krahut të majtë ka kontribuuar me tetë gola në 23 ndeshje.

Reprezentuesi i Kosovës, po ashtu, ka dhënë kontributin e tij që St. Pauli të mos pësojë disfatë ende në vitin 2023.

Koelni ishte dënuar nga FIFA për transferimin e parregullt të sulmuesit Jaka Cuber Potocnik nga skuadra sllovene, Olimpija Lubjana, në janar të vitit 2022.

Koelni ka thënë se FIFA i ka urdhëruar skuadrën dhe lojtarin t’ia paguajë 51 mijë e 750 euro skuadrës sllovene, dhe se Potocnik është suspenduar për katër muaj.