Trajneri nga Shqipëria dënohet me 30 ndeshje pasi ndoqi gjyqtarët me veturë

Mes një morie vendimesh të Komisionit të Disiplinës që u publikuan dje nga Federata Shqiptare e Futbollit, bie në sy dënimi me 30 ndeshje i trajnerit të Lushnjës në futbollin e femrave, Hekuran Korreshi.

Një ndëshkim i tillë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ndeshje vajzash, do të thotë se trajneri duhet të ketë kryer një vepër vërtet të rëndë dhe logjikisht mbetet edhe i papunë për një kohë të gjatë në botën e futbollit. Tekniku lushnjar u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen Lushnja-AAS, e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit kombëtar, takim i zhvilluar mesditën e së martës në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës.

Më tej erdhi edhe dënimi i rëndë me 30 javë nga Disiplina. Pas pezullimit gazeta kontaktoi me trajnerin Hekuran Korreshi, i cili ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Hekuran Korreshi flet për dënimin, ndërsa mohon akuzat që janë ngritur ndaj tij:

“Unë jam interesuar për ndonjë gabim në shifra. Pra, mos jam dënuar tri javë. Kam mësuar se jam dënuar 30 javë, pra plot një kampionat e gjysmë. Në relacion, qenka shkruar se pas ndeshjes kam ndjekur gjyqtaret me makinë. Diçka e padëgjuar ndonjëherë. Gjyqtaret kanë ardhur me tendencë, për të më dënuar.

Për të zmadhuar dënimin ia kanë futur kot, kanë shpikur gjëra kot. Pas ndeshjes kam zbritur nga tribuna dhe fillimisht jam prononcuar për mediat, bashkë me kolegun, Ditmirin, trajnerin e Ajaksit të Shkodrës. Kemi folur para kamerave. Më pas kam pirë kafe me të, me kolegun.

Gjyqtaret në relacion nuk mundet të marrin vendime personale apo sipas qejfit. Kam bërë kërkesë për ta rishqyrtuar vendimin, që kanë marrë duke i çuar edhe prova, pra pamjet filmike. Gjyqtaret nuk mund të hedhin ‘baltë’ mbi futbollin e qytetit tonë”, deklaroi për gazetën trajneri i Lushnjës në futboll për femra Hekuran Korreshi.