Trajneri kosovar që jeton në Çeki, i ndarë në dysh për përballjen e sotshme

Beteja vendimtare për Kampionatin Evropian 2020 mes Çekisë dhe Kosovës do të zhvillohet sot. Këtë ndeshje e ka komentuar trajneri Beni Simitci, i cili është pjesë e stafit të Sparta Prague, dhe ka prejardhje nga Kosova, por jeton që një kohë të gjatë në Çeki.

Beni Simitci në njërën anë do ta përkrahë Republikën Çeke, ku ka qenë duke jetuar që 27 vjet, ndërsa në anën tjetër do ta përkrahe vendin ballkanik, ku kishte lindur.

“Është e vështirë. Unë vij nga Kosova, por kam qenë këtu për një kohë më të gjatë sesa në Kosovë. Ne u shpërngulum këtu para shumë vjetëve. Kur ke jetuar diku për 27 vjet dhe e ke ndërtuar aty gjithë jetën tënde, s’mund të thuash se s’je i atij vendi. S’do të ishte e vërtetë”, ka thënë Simitchi.

“Do ta përkrah më të mirin. Do të ishte e përsosur nëse të dyja skuadrat do të kualifikoheshin në EURO. Nëse njëra skuadër eliminohet – Kosova e ka një mundësi të kualifikohet përmes play-offs të Ligës së Kombeve. Nëse Kosova do të kualifikohej nga ky grup, unë edhe do të ndihesha pak keq”.

Gjatë qëndrimit të Kombëtares së Kosovës në Republikën Çeke, trajneri Simitchi është duke u kujdesur për ekipin kosovar.

“Mua më pyeti Federata çeke sepse vij nga Kosova dhe e njoh të gjithë Federatën e Kosovës. Merrem me gjithçka që mundem, që nga arritja e tyre deri në momentin kur të largohen nga Çekia, me akomodimin e me gjëra të tilla. U ndihmoj me gjithçka që mundem”, shtoi Simitci.

“Në Kosovë, janë shumë të uritur për sukses, përderisa Republika Çeke ka qenë në skenën e futbollit për një kohë të gjatë. Këtu shihet më shumë si detyrë, ndërsa atje do të ishte një festë e madhe”.

“Do të ishte një festë për njerëzit e Kosovës pas viteve të vështira që i kanë kaluar, pas luftës. Ata nuk janë të lumtur për shkak të shqetësimeve të përditshme dhe gjërave të tilla, sporti do t’i bënte ata të lumtur. Do t’u ndihmonte shumë”.

“Shumë të afërt të mi po vijnë nga Kosova pa bileta. Ata thonë se edhe nëse s’mund të shkojnë në stadium, ata duan ta përjetojnë atmosferën. Tashmë 1200 apo 1300 njerëz nga jashtë Kosovës kanë ardhur këtu – njerëz si unë, që kanë qenë duke jetuar jashtë për një kohë të gjatë, ose kanë lindur këtu.

Simitchit nuk i pëlqen politika. Ai nuk ndien urrejtje ndaj Serbisë, që ende e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të vet dhe nuk e njeh pavarësinë e vendit.

“Kam shumë shokë në Serbi. Një person normal nuk merret me këtë, politika bëhet nga shteti. Pse duhet ta përfshijmë politikën në sport? Këtë e bëjnë ultranacionalistët që as nuk e ndjekin futbollin”.

loading…