Trajneri i Kroacisë: Duhet ta harrojmë Mandzukicin

Trajneri i Kombëtares së Kroacisë, Zlatko Dalic, ka thënë se ata duhet ta harrojnë sulmuesin kroat të Juventusit, Mario Mandzukicin, pasi ai tanimë më nuk është pjesë e skuadrës dhe se duhet të gjejnë një zëvendësim për të.

Mandzukici u pensionua nga futbolli i Kombëtareve pas rrugëtimit të tyre deri në finale të turneut të Kupës së Botës, që u zhvillua këtë verë në Rusi, duke thënë se kjo është momenti më i mirë për largimin e tij, përcjell Gazeta Express.

Që nga atëherë, Kroacia ka arritur ta shënojë vetëm një gol në tri ndeshje. Ndërsa, në ndeshjen e fundit, e cila u zhvillua mbrëmë në stadiumin HNK Rijeka, kundër Anglisë, ata nuk arritën të shënojnë asnjë gol dhe ndeshja përfundoi me rezultat 0-0.

Kjo ndeshje kundër Anglisë, e vlefshme për grupin e katërt të Ligës A në kuadër të garës së re të UEFA-s për kombëtare, Liga e Komeve, erdhi pas disfatës kundër Spanjës me rezultat 6-0 në po të njëjtën garë.

Megjithatë, trajneri Dalic beson se ata duhet të fokusohen në të ardhmen dhe ta harrojnë Mandzukicin pasi që ai nuk është më pjesë e skuadrës së Kombëtares.

“Nuk është tipike për ne të mos shënojmë gola në dy ndeshje radhazi. Por, duhet ta harrojmë Mandzukicin, tani ka marrë fund, ai nuk është më me ne. Ai e mori vendimin dhe ne duhet ta respektojmë atë dhe të gjejmë zgjidhje të tjera”, ka thënë Dalic.