Trajneri i Genkut e kritikon Edon Zhegrovën

Philippe Clement thotë se futbollisti kosovar nuk ka treguar pjekuri dhe nuk është shembull i mirë për t’u ndjekur nga talentet tjera

Trajneri i Genkut, Philippe Clement ka hedhur akuza dhe kritika të ashpra në adresë të Edon Zhegrovës.

Trajneri belg ka thënë për mediat e këtij vendi se ylli i ri kosovar nuk është shembull i mirë për t’u ndjekur nga talentet tjera për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të tij të fundit.

“Lojtarët që nuk janë këtu me zemër, më mirë është të largohen”, ka thënë fillimisht ai.

“Unë kam eksperiencë të madhe me lojtarët e rinj dhe disa prej tyre janë mjaft të padurueshëm. Fatkeqësisht, Edoni hyn në atë kategori. Ai mendon se do të duhej të luante më shumë në gjashtë muajt e fundit dhe ndien se ka ardhur koha që djaloshi ta marrë një hap tjetër në karrierë. E ardhmja do ta tregojë nëse ai kishte të drejt ta bënte këtë hap apo jo”, ka shtuar Clement.

“Ne do të donim të punonim me të. E kam parë një përparim të mirë të tij në gjashtë muajt e fundit, por ne po ashtu e dimë se në cilën pikë është ai tani. Ai është më pak i bindur për këtë”, shtoi trajneri belg.

“Unë i kuptoj lojtarët që dëshirojnë të luajnë më shumë, por mënyra se si e bëjnë këtë është gjithashtu e rëndësishme për mua”, ka përfunduar Clement.

Zhegrova do të transferohet në Basel, ku synon të ketë minutazh më të madh në krahasim me Genkun.

19 vjeçari kishte shpërthyer në vitin 2018 në Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën kishte realizuar dy gola.