Derbi i Anamoravës

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani: Barazimi ndoshta është rezultat real

Drita e Gjilani i kanë ndarë pikët duke luajtur 2:2 në derbin e Anamoravës, që i takoi xhiros së 26-të të Superligës në futboll.

Golat për të kaltrit i shënuan Baftiu (24’) dhe Dabiqaj (55’), ndërsa për të kuqtë, Basa (32’) dhe Ismajli (44’).

Vlen të ceket se po ashtu u dhanë tre karton të kuq, një për Dritën e dy për Gjilanin.

Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani tha se ka mundur të fitoi, por në fund mori pikën me shumë mund.

“Golat, dyluftimet, kartonat janë pjesë e derbit. Lëshuam dy pikë me të nisur ndeshja. Kaluam në avantazh. Jo që nuk na rrezikoi Gjilani, por golin e parë e shënuam ne. Te goli i dytë na ra përqendrimi, por nuk është e lehtë të luash tri ndeshje rresht shumë të vështira, në fusha të vështira. E menaxhuam mirë rezultatin pasi mbetëm me një lojtar më pak në fushë. Barazimi ndoshta është rezultat real. Kur nuk fiton, është mirë mos ta humbësh ndeshjen. Këtë sot e arritëm me shumë mund, shumë sakrificë”, ka theksuar Ramadani.

Kështu, Drita e lëshon mundësinë për të kaluar në krye të tabelës. Tash ata kanë 50-të pikë për pozitën e tretë. Në krahun tjetër, Gjilani grumbullon 26 pikë.