Arsenali

Trajneri i Brightonit i kërkoi fanellën yllit të Arsenalit pas përfundimit të ndeshjes

Pas fitores bindëse të Arsenalit me rezultat 3-0 ndaj Brightonit të shtunën, një skenë e papritur u shfaq teksa një pjesëtar i stafit të trajnerëve të Roberto De Zerbit u pa duke i kërkuar fanellën një lojtari të Arsenalit.

Triumfi i ‘Topçinjve’ u shoqërua me golat e Bukayo Sakas, Kai Havertz dhe Leandro Trossard, duke bërë që ata të ‘rrëmbenin’ përsëri kreun e tabelës në Ligën Premier.

Krahas faktit që Manchester City i tejkaloi ata përkohësisht pas fitores ndaj Crystal Palace, të besuarit e Mikel Artetës u përgjigjën shpejtë, duke shfaqur një ndeshje të madhe në aspektin defanziv, në atë që ishte ndeshja e pestë radhazi që mbajnë portën e paprekur si mysafir.

Brightoni më herët ishin të pamposhtur në 12 ndeshje si vendas, por ata nuk ia dolën t’i bëjnë ballë dominimit të Arsenalit.

Forma e jashtëzakonshme e Havertzit vazhdoi, teksa ai shënoi golin e tij të nëntë në Ligën Premier si dhe kontriboi me një asistim duke marrë lëvdata të mëdha pas ndeshjes.

Sidoqoftë, ishte një moment i veçantë pas ndeshjes që mori vëmendjen e tifozëve. Teksa Havertz po largohej nga fusha, një pjesëtar i stafit të trajnerëve të Brightonit u pa duke ia kërkuar fanellën, gjest ky që shkaktoi habi dhe kritika.

Havertz siç duket e ka marrë veten pas një sërë kritikash që e përcollën atë pas transferimit nga rivali i qytetit Chelsea, për shumën e 65 milionë eurove verën e kaluar.