Trajneri i Brazilit, Tite e ka kritikuar Lionel Messin, duke kërkuar nga ylli i Barcelonës që të tregojë më shumë respekt dhe ta pranojë humbjen, për shkak të komenteve të tij se Kupa e Amerikës ishte gatuar për Brazilin pas humbjes së Argjentinës ndaj Brazilit në gjysmëfinale.

Pasi Argjentina e tij u mund nga Brazili në gjysmëfinale dhe ai u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen për vendin e tretë kundër Kilit, të cilën e fitoi Kombëtarja e tij, Messi sugjeroi se gjyqtarët e kanë favorizuar nikoqirin, Brazilin, gjatë gjithë turneut.

Brazili e fitoi trofeun e Kupës së Amerikës, të parin që prej vitit 2007, duke e mposhtur Perunë 3-1 në finalen e së dielës në Maracana.

“Ai, të cilin e trajtova si të jashtëzakonshëm, si jashtëtokësor, duhet të tregojë respekt dhe ta pranojë humbjen”, tha Tite për Messin.

“Ne u dëmtuam nga gjyqtarët në disa ndeshje. Ne luajtëm ndershëm ndaj Argjentinës gjatë gjithë kohës”, shtoi ai.

Edhe pse i pa lumtur me komentet e Messit, Tite pajtohet se argjentinasi nuk është dashur të përjashtohej me karton të kuq ndaj Kilit.

“Ai u përjashtua padrejtësisht. Medel e meritoi. Për Messin kartoni i verdhë ka qenë maksimumi”, shtoi ai.