Guillermo Schelotto

Trajneri i Boca Juniorsit i mërzitur pas humbjes në finale ndaj River Plates

Trajneri i Boca Juniorsit, Guillermo Schelotto nuk ka arritur ta fshehë trishtimin e tij pas humbjes në finalen e Copa Libertadores kundër rivalit të përjetshëm, River Plates.

River Plate triumfoi mbrëmë 3-1 në ndeshjen e dytë finale ndaj Boca Juniorsit, teksa u shpall kampion i Copa Libertadores me rezultat të përgjithshëm 5-3.

Kjo ndeshje u vendos të zhvillohej në Spanjë pasi që në Argjentinë nuk ishin kushtet e përshtatshme për mbarëvajtjen e këtij takimi, gjersa në nëntor ishte shtyer dy herë ky ballafaqim për shkak se disa tifozë të Riverit kishin sulmuar autobusin ku ndodheshin futbollistët dhe stafi i Bocas, me shumë prej tyre që mbetën të lënduar.

“Ndihem i mërzitur që nuk arritëm ta fitojmë kupën dhe të ia dedikojmë të gjithë tifozëve të Bocas, kjo është gjëja e vetme që më bën të ndihem keq. Dua t’i përgëzoj futbollistët e mi për mënyrën sesi luajtëm edhe kur ishim me një apo dy lojtarë më pak. Pastaj dua të përgëzoj edhe Riverin që u shpall kampion”, nënvizoi Schelotto.

Trajneri i Bocas tutje shtoi se mendon se nganjëherë bashkëkombasit e tij janë të pandreqshëm duke iu referuar ngjarjeve të dhunës që ndodhën muajin e kaluar.

“Ne mund të mësojmë shumë gjëra nga këtë njerëzit që ishin të pranishëm në stadium. Shpresoj se mund të mësojmë shumë por nganjëherë duket se jemi të pandreqshëm. Nëse kjo finale do të përsëritej në të ardhmen, sërish nuk do të mund të luhej në Argjentinë. Këto ditët e fundit në shtetin tonë është thënë se është normale të sulmohet me gurë autobusi i skuadrës mysafire. Nuk mund të jetë normale, është abnormale të sulmosh autobusin me gurë”, përmbylli fjalët e tij Guillermo Schelotto.