Trajneri i ekipit kombëtar të Argjentinës, Lionel Scaloni, beson se skuadra e tij e meritoi më shumë sesa Brazili të kualifikohet në finale të Kupës së Amerikës, përkundër që pësoi disfatë me rezultat 2-0.
Brazili u kualifikua në finalen e parë të Kupës së Amerikës që nga viti 2007 me një fitore me rezultat 2-0 kundër Argjentinës, të martën në Belo Horizonte.
Gabriel Jesus shkëlqeu për skuadrën e Tites, duke e shënuar golin hapës para se ta krijonte golin e Roberto Firminon në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, që u zhvillua në stadiumin “Estadio Mineiaro”.
E drejtuar nga Lionel Messi, Argjentina i pati mundësitë e veta, duke e goditur dy herë shtyllën përmes yllit të Barcelonës dhe Sergio Agueros.
Mirëpo, mundësitë e tyre u lanë në harresë nga goli i Firminos në minutën e 71-të të ndeshjes për tetë-herë kampionin, Brazilin.
“Në bazë të meritës, skuadra që duhej të kishte shkuar në finale ishte Argjentina. Ne ishim superiorë ndaj Brazilit. E dëshmuam se ky grup i lojtarëve e ndien fanellën si askush tjetër”, u shpreh Scaloni.
“Ne e lëmë një imazh për të ardhmen e ekipit kombëtar dhe një mënyrë shumë të mirë për të ecur përpara”.
“Nuk mendoj se është koha të flasim për të ardhmen time sepse ky është më së paku problem i imi tani. Dua të jem me lojtarët e mi dhe e ndajmë së bashku këtë moment të vështirë”, tha Scaloni.







