Trajnerët e Premier Leagues do të takohen për shqetësimet nga koronavirusi

Trajnerët e skuadrave të Premier Leagues do të takohen të hënën për të diskutuar përkeqësimin e situatës me COVID-19, e cila tashmë ka anuluar gjysmën e ndeshjeve të fundjavës dhe ka lënë mënjanë lojtarët yje. Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, mund t’i bashkohet listës në rritje të atyre që janë në izolim pasi atij i është kthyer një rezultat i dyshimtë pas testit për COVID-19 që detyroi anulimin e konferencës së tij për shtyp të premten. Gjysma e ndeshjeve të planifikuara të fundjavës tashmë janë shtyrë për shkak të shpërthimeve të koronavirusit në klube, duke nënvizuar përkeqësimin e emergjencës shëndetësore në Britani, ndërsa varianti Omicron përhapet.

Opinionet ishin të gjera lidhur me hapat që duheshin ndërmarrë pas kësaj situate. Disa trajnerë mbrojnë idenë e tyre për pushim për shkak të gjendjes aktuale, ndërsa të tjerët insistojnë se ndeshjet duhet të vazhdojnë.

“Padyshim që ka shumë shqetësime dhe shumë pyetje pa përgjigje”, tha trajneri i Aston Villas, Steven Gerrard. “Kjo është arsyeja pse Premier League, të hënën, ka krijuar një mundësi për trajnerët që të mblidhen së bashku dhe unë shpresoj se do të ketë shumë qartësi që del nga fundi i atij takimi”.

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, tha se ai i ka lexuar rregullat “dhe i ka harruar menjëherë, sepse ka shumë prej tyre”. Kapitenët e klubeve gjithashtu planifikojnë të mbajnë bisedime, tha Gerrard, një ish-kapiten i Liverpoolit. Liga ka rifutur tashmë masat e urgjencës – testime më të shpeshta dhe mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura – por tha se qëllimi i saj ishte të ruante orarin aktual të ndeshjeve “aty ku është e mundur”. Liga tha se bordi i saj po vlerëson aplikimet për shtyrjen e ndeshjeve rast pas rasti dhe “bazuar në rregullat ekzistuese dhe udhëzimet për shtyrjen e ndeshjeve shkaku i COVID-19 të lëshuara për të gjitha klubet”. Shtyrjet e fundit e sollën numrin e përgjithshëm të lojërave të ligës së lartë të anuluara këtë javë në nëntë. Dy ndeshje u luajtën të enjten me lojtarët kryesorë që munguan për shkak të testeve pozitive. Chelsea ishte pa Romelu Lukakun, Timo Wernerin dhe Callum Hudson-Odoin në barazimin 1:1 me Evertonin. Ben Chilwell, i cili është i lënduar, gjithashtu rezultoi pozitiv.

Tuchel tha se testimi ditor nuk tregoi asnjë test tjetër pozitiv të premten.

“Por, ne sërish duhet t’u nënshtrohemi testeve nesër dhe asgjë nuk ka të garantuar”, tha Tuchel.

Me një skuadër të varfëruar për ndeshjen e së dielës në Wolverhampton, Tuchel mund të detyrohet të luajë me Mateo Kovaçiqin dhe N’Golo Kanten, të cilët të premten janë kthyer në stërvitje. Kovaçiq ishte në izolim për shkak të infektimit me koronavirus, ndërsa Kante i lënduar. Kai Havertz i Chelseat gjithashtu doli jashtë të enjten, sepse nuk u ndie mirë, por që atëherë ka rezultuar negativ. Liverpooli është mysafir i Tottenhamit të dielën dhe trajneri Juergen Klopp favorizon luajtjen e ndeshjes edhe pse ai do të ketë vështirësi në përgatitjen e saj, sepse ai nuk e ka idenë se cilët lojtarë të Tottenhamit janë në dispozicion.

“Ne nuk mendojmë se nuk duhet të luajmë të dielën, sinqerisht, por e them këtë tani”, tha Klopp. “Por në një situatë siç jemi tani, ne mund të luajmë dhe do të donim të luanim”.

Më shumë transparencë, shtoi ai, “do të ishte vërtet e dobishme”. Të enjten, Liverpooli mundi Newcastlen 3:1 pa Virgil van Dijkun, Fabinhon dhe Curtis Jonesin, për shkak të testeve pozitive. Klopp tha të premten se të tre ndihen mirë. Tottenhami do të jetë në aksion për herë të parë pas dy javësh. Përhapja e COVID-19 në klub detyroi shtyrjen e dy ndeshjeve të ligës dhe anulimin e një ndeshjeje të Ligës së Konferencës së Evropës. Morali ka qenë i ulët, tha të premten trajneri Antonio Conte.

“Por në të njëjtën kohë, ne jemi gati të luajmë të dielën një lojë të rëndësishme kundër një ekipi vërtet të mirë, të mrekullueshëm”, tha ai.

Ndërkohë, kampioni në fuqi, Manchester City, përballet me mundësinë për të mbrojtur epërsinë e tyre prej një pike në tabelë ndaj Liverpoolit pa Guardiolën, i cili kishte marrë pjesë në njoftimin e pensionimit të Sergio Agueros në Barcelonë të mërkurën. Klubi është në pritje të rezultatit të një testi tjetër për COVID-19 për Guardiolan përpara ndeshjes së tyre në Newcastle të dielën.