Tragjedia në Indonezi, presidenti do të dëmshpërblejë familjet e 125 viktimave

Presidenti indonezian Joko Widodo do të dëmshpërblejë familjet e 125 personave, që vdiqën të shtunën në një stadium në Java në fund të një ndeshjeje.

“Si shenjë ngushëllimi, presidenti do të dhurojë 50 milionë rupi (rreth 3.340 euro) për familjen e çdo personi të vdekur,”- tha këtë të hënë ministri i sigurisë, Mohammad Mahmodin.

Tragjedia ndodhi në fund të ndeshjes mes Arema dhe Surabaya, kur mijëra tifozë zbritën në fushën e blertë. Pushtimi shkaktoi ndërhyrjen e policisë me gaz lotsjellës dhe pasoi një rrëmujë paniku, ku dhjetëra njerëz vdiqën nga asfiksimi ose u shkelën, mes tyre edhe 32 fëmijë. Sipas të dhënave zyrtare, 125 persona kanë humbur jetën dhe 320 janë plagosur.

Presidenti i Arema, Gilang Widya Pramana, tha ndërkohë se klubi po bashkëpunon me hetimin dhe se gjithashtu do të “kompensojë financiarisht” familjet e viktimave dhe të plagosurve.