Një aksident i tmerrshëm i ka marrë jetën futbollistit të Alanyasporit në Turqi, Josef Sural.

Mesfushori i kombëtares çeke po udhëtonte me një furgon të marrë më qira, ku ishin edhe 6 lojtarë të tjerë të klubit të Superligës turke, që po mahnit këtë sezon, sepse po lufton për kualifikim në Europa League.

Alanyaspor luajti dje në fushën e Kayserispor (1-1) dhe futbollistët kishin marrë një automjet me qira, për t’u kthyer në Alanya.

Aksidenti tragjik ndodhi 5 km larg Alanyas dhe Sural ishte personi më fatkeq, sepse mori plagë në kokë dhe mbërriti pa jetë në spital.

Gjashtë futbollistët e tjerë, mes të cilëve janë edhe mbrojtësi anglez Steven Caulker dhe sulmuesi Papis Cisse, janë ende në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Shoferi i automjetit është ndaluar nga policia, pasi po kryhen hetime. Sipas presidentit të klubit Hasan Cavusoglu shoferin e kishte zënë gjumi në timon dhe po ashtu po flinte edhe shoferi i dytë.

Sural, 28 vjeç, lë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë, më i vogli i lindur para 2 muajsh.