Mbrojtësi belg, Jan Vertonghen do të jetë në formacionin titullar nësër në ndeshjen që Tottenhami e zhvillon ndaj Interit, sfidë e vlefshme për xhironë e 5-të të grupeve në Champions League.

“Spurs” duhet ta mposhtin Interin në mënyrë që të shpresojnë për kalimin e grupit deri në takimin e fundit, teksa për momentin “Nerazzurrët” kanë 3 pikë më shumë se londinezët.

Vertonghen ka qenë jashtë fushave prej 2 muajsh kur u dëmtua në ndeshjen me Huddersfieldin, por ishte pjesë e skuadrës që mposhti 3-1 Chelsean në fundjavë.

Pochettino nuk ka dyshime se Vertonghen do të mund të përshtatet menjëherë në qendër të mbrojtjes me bashkëkombasin e tij, Toby Alderwereld.

“Për këtë arsye Vertonghen ishte në bankën rezervë ndaj Chelseat. Sigurisht se ai është i gatshëm për të luajtur. Ai është i rëndësishëm për klubin sikur gjithë të tjerët”, u shpreh Pochettino.

Trajneri argjentinas u ndje i penduar për lënien jashtë listës së futbollistëve të grumbulluar për Champions League, të mbrojtësi të ri Juan Foyth, kurse konfirmoi se edhe mbrojtësi i krahut Danny Rose është riaftësuar nga lëndimi.

Tottenhami do të synojë t’i hakmerret Interit për atë humbje me rezultat 2-1 të shkaktuar në minutat e fundit në ndeshjen e parë të zhvilluar në “San Siro”.