Tottenham fiton me “clean sheet” ndaj Man.Cityt, merr kreun e Premierligës

Tottenham Hotspur ka vazhduar formën e mirë në Premier League. Ai mposhti Manchester Cityn me rezultat 2-0.

Ndeshja u zhvillua në Tottenham, ndërsa vendasit kaluan në epërsi që në minutën e pestë të ndeshjes. Jug-koreani, Heung-Min Son, pas një super aksioni të iniciuar nga Ndombele, me goditje qendrore e dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën e 65-të, Lo Celso, shënoi golin e dytë në ndeshje. Asistues në golin e mesfushorit ishte Kane.

City shënoi një gol përmes Aymeric Laportes mirëpo VAR-i paraprakisht e vlerësoi si lojë me dorë, shkruan KOHA.

Me këtë fitore, Tottenham renditet në pozitën e parë në tabelë me 20 pikë, ndërsa Manchester City është në të 10-tën, me 12 sosh.