NBA

Toronto mposhtet në shtëpi, DeRozan udhëheq Spurs te suksesi i radhës

Kanadezët e Toronto Raptors pësuan humbjen e dytë radhazi, teksa u mposhtën në “Scotiabank Arena” nga Milwaukee Bucks me rezultatin final 99-104.

Vendasit e nisën mjaft mirë sfidën, duke marrë fraksionin e parë me rezultatin 30-25, por lëshuan ndjeshëm në dy pjesët e radhës, duke bërë që t’u rrëshqiste fitorja nga dora.

Vlen të theksohet se tre më të mirët e sfidës, ishin Ibaka, Leonard dhe Vanvleet, të tre pjesë e Torontos, ndërsa skuadra kanadeze, pavarësisht humbjes, vijon të kryesojë në Konferencën e Lindjes.

San Antonio Spurs, i udhëhequr nga ylli i skuadrës, Demar DeRozan, arriti të mposhtë me rezultatin 110-97 Utah Jazz. Vendasit dominuan gjysmën e parë të takimit, ku edhe vendosën distancën nga kundërshtari, ndërsa Jazz reagoi vetëm në fraksionin e tretë, por pa mundur t’i ndryshojë rrjedhën fatit të takimit.

Demar DeRozan shënoi 26 pikë, 8 asiste dhe 6 rikuperime në këtë takim, por më i miri i ndeshjes ishte basketbollisti i Utah Jazz, i cili regjistroi 27 pikë, 1 asist dhe 5 rikuperime.

Sfida tjetër e mbrëmjes, ishte ajo e luajtur në “Madison Square Garden” të New Yorkut, ku Knicks pësuan humbjen e katërt radhazi, në përballjen me Charlotte Hornets. Vendasit u shfaqën të pafuqishëm në 3 fraksionet e para të lojës, duke fituar vetëm në pjesën e fundit, por tashmë fati i takimit ishte vendosur, me Hornets që vulosën triumfin me rezultatin final 107-119.