LAJMI I FUNDIT

“Topi i Artë” do të bashkorganizohet nga UEFA

Çmimi individual më prestigjioz i futbollit, “Topi i Artë”, do të bashkorganizohet nga UEFA prej vitit të ardhshëm, duke i dhënë shtëpisë evropiane të futbollit një ngjarje globale që tradicionalisht tejkalon çmimet botërore të FIFA-s.

Marrëveshja me UEFA-n vjen shtatë vjet pas përfundimit të partneritetit të mëparshëm midis organizatorëve francezë të “Topit të Artë” dhe FIFA-s. Nga viti 2024 çmimi dhe ceremonia e “Topit të Artë” do të bashkorganizohen nga UEFA dhe “Groupe Amaury”, i cili boton revistën “France Football” dhe të përditshmen franceze “L’Equipe”.

Revista “France Football” e ka krijuar çmimin “Topi i Artë”, i cili për herë të parë iu dorëzua sulmuesit të Anglisë, Stanley Matthews, në vitin 1956. Për gjashtë edicione, duke nisur prej vitit 2010, çmimi është njohur si “Topi i Artë i FIFA-s”, dhe ceremonitë janë mbajtur në shtëpinë e këtij institucioni të futbollit, në qytetin e Zuerichut.

FIFA i ka çmimet e veta për më të mirët që nga viti 2016 dhe më parë kishte një çmim vjetor të lojtarit të vitit në botë që nga 1991.

Edicioni i fundit i “Topit të Artë” u mbajt të hënën në Paris me dy fitues të Kupës së Botës që morën çmimet kryesore. Lionel Messi fitoi çmimin te futbollistët për herë të tetë dhe spanjollja Aitana Bonmati mori çmimin e saj të parë te futbollistet.

“UEFA do të kontribuojë me ekspertizën e saj të futbollit, do të tregtojë të drejtat globale dhe do të organizojë ceremoninë gala vjetore të çmimeve”, thuhet në një deklaratë të Konfederatës Evropiane të Futbollit.

Ky bashkëpunim për “Topin e Artë” do të shtojë çmime të reja prej vitit të ardhshëm në ceremoni, siç janë ato për trajnerët më të mirë në futbollin e meshkujve dhe femrave.

“Së bashku, UEFA dhe Groupe Amaury synojnë të rrisin statusin dhe shtrirjen globale të çmimeve duke nxitur një ndjenjë uniteti dhe bashkëpunimi brenda komunitetit të futbollit”, tha UEFA.

Marrëveshja gjithashtu do të bëjë që UEFA të heqë çmimet e veta për lojtarin e vitit, të cilat tradicionalisht ndahen në muajin gusht, megjithëse do të shpërndajë çmimin e lojtarit të edicionit për secilën nga garat e saj në nivel klubesh, si Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës.