Sandro Tonali

Tonali pranon t’i tregojë të gjitha para prokurorëve për bastet – a ka luajtur edhe në ndeshjet e Milanit?

Sandro Tonali është emri më i përfolur ditëve të fundit në Itali dhe jo vetëm, pas shpërthimit të skandalit të basteve.

Mesfushori italian është një nga më të mirët në Evropë për pozitën e tij, sa që në verë kompletoi kalimin te Newcastle United nga Milani për 80 milionë euro.

La Gazzetta dello Sport ka shkruar se Tonali ka vendosur t’u tregojë dy prokurorëve atij të Republikës së Torinos në frontin kriminal dhe atij federal në frontin sportiv, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër veç të vërtetës.

Është e qartë se nëse Tonali është gati të denoncohet te prokurori i FIGC-së Giuseppe Chine, mes basteve të bëra ka edhe ato për futbollin.

Neni 24 i Kodit të Drejtësisë Sportive është i qartë: nuk është e ndaluar të vihet bast në sport, por ta bësh këtë në garat e FIGC, FIFA dhe UEFA është një shkelje e dënueshme rëndë.

Sanksioni i pritshëm është të paktën tre vjet skualifikim, i cili mund të rritet edhe në pesë nëse konstatohet se një lojtar ka vënë bast në një ndeshje të ekipit të tij dhe mund të reduktohet falë bashkëpunimit solid me Prokurorinë.

Gjithsesi mesfushori ka vendosur të flas dhe do të mësohet nëse ka vendosur baste edhe në ndeshjet e Milanit dhe Italisë ku ai ka qenë i pranishëm në fushë.

Përveç mesfushorit të Newcastle United, të dyshuar për vënien e basteve janë edhe ylli i ri i Juventusit, Nicolo Fagioli, sulmuesi i Aston Villës, Nicolo Zaniolo si dhe polaku i Romës, Nicola Zalewski.

Kujtojmë se Zaniolo dhe Tonali janë larguar nga grumbullimi me Italinë menjëherë pasi janë marrë në pyetje nga policia italiane.