Tomë Gashi: Shteti ka obligim ta garantojë Paradën e Krenarisë, të marrin pjesë edhe zyrtarë institucionalë

Avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se organizimi i Paradës së Krenarisë është çështje elementare e cila duhet të lejohet.

Sipas Gashit, organizimi i kësaj parade është i garantuar me ligjet kosovare dhe ato ndërkombëtare.

“Kemi të bëjmë me çështje personale të personave të cilët kanë të drejtë në kuadër të Kushtetutës, të Ligjeve, të të Drejtave Elementare dhe Lirive të Njeriut, dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Kosova jo që duhet ta tolerojë, mirëpo e ka për obligim ligjor ta mbrojë organizimin e paradës”.

“Nuk është atakim në asgjë nuk e prekë familjen as asgjë, kemi të bëjmë me përcaktime personale. Një njeri normal nuk ka asnjë arsye të dalë të viktimizohet, mirëpo del aty ngase është dita kur për herë të parë në histori ata haptazi kanë dalë dhe kanë treguar se janë me përcaktime tjera gjinore dhe seksuale”.

Gashi gjithashtu ka komentuar edhe reagimin e partisë Fjala, e cila gjatë ditës së sotme ka deklaruar se është kundër organizimit të Paradës se Krenarisë në Kosovë.

“Besoj se qëndrimi i partisë Fjala është aq i rëndë sa që veç sa s’u tha që këta duhet me i ndalu’ ose mos t’ju lejohet shfaqja publikisht. E respektoj mendimin e Avni Çakmakut, që tha të mos dilet publikisht. Mirëpo, dalja publike duhet t’iu mundësohet dhe duhet të mbrohet, si dhe do të duhej që edhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës të dalin me ta e të ndjehen të sigurt”.

Avokati Gashi gjatë një interviste në Info Magazine ka theksuar nevojën për t’ju ofruar mbrojtje këtij komuniteti, veçanërisht pasi një pjesë e tyre po largohen nga Kosova.