Tolaj i reagon prokurores Bamieh që zbuloi telefonatat e tij nga burgu

Ish-sekretari në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, ka reaguar pas deklarimeve të ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, e cila e përmendi atë gjatë konferencës së sotme për media.

Bamieh tha sot se me autorizim gjykate e kishte përgjuar Tolajn në kohën sa ishte në paraburgim dhe se ndërmjetësuesit e tij ishin takuar me gjyqtarin e rastit, Francesco Flori, ku i kishin ofruar para që ta paguanin lirimin e Tolajt dhe mbylljen e rastit.

Për këto deklarata të Bamieh, vet Tolaj për Klankosova.tv tha se “përgjigjen më së miri e ka dhënë aktgjykimi i gjykatës, një aktgjykim i formës së prerë, i plotfuqishëm, ku jam shpallë i pafajshëm për krejt pikat e akuzës.

Tolaj, Bamiehn e cilësoi si “plloçë e prishur e gramafonit”, teksa shtoi se fjalët e saj nuk i ngjasojnë me asgjë tjetër “pos një lehje e një qeni të gjinisë femërore, e sëmurë dhe fatkeqësisht prognozë të keqe”.

“Deklarimet e saj të sotme ashtu edhe si shumë herë të përsëritura, tregon se kemi të bëjmë me një person që mendërisht është jo stabil, ndërsa profesionalisht i dështuar, si e tillë tani qenë satisfaksionin për të gënjyer opinionin duke dashur që të paraqesë se kinse e gjithë bota është kundër saj e që në fakt është ajo armiku më i madh i vetvetes, por edhe armiku më i madh i të vërtetës, në anën tjetër veprimet e saj të sotme por edhe më herët janë veprime të dënuara me ligj”, është shprehur Tolaj.

Tutje, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë tha se Bamieh kishte anshmëri në gjykim, qëllime të ulëta dhe “të sëmura në raport me mua”.

“Kjo është vërtetuar në aktgjykim e parë, nga gjykatësit e EULEX-it, krejt përpjekja e saj ka qenë e drejtuar ndaj një personi Ilir Tolaj. Në disa raste që janë të vërtetuara në procesverbale, sa herë dëshmitarët e prokurorisë sa herë kanë dashur të flasin për keqpërdorime në MSh, pyetja ka qenë a ka qenë Ilir Tolaj sekretar, nëse jo ka thënë se nuk më intereson”, është shprehur Tolaj.