Tjetër fitore e thellë e Prishtinës 01 në Ligën e Kampionëve

Kampionia e Kosovës në futsall (futboll të sallës), ka vazhduar me rezultate të mira në Ligën e Kampionëve.

Prishtina 01 të enjten në Lubawa të Polonisë fitoi 5:1 ndaj kampiones së Norvegjisë, Utleira.

Me fitore Prishtina ka siguruar të paktën vendin e dytë në Grupin D të raundit preliminar të Ligës së Kampionëve.

Të shtunën takohet me Lubawan në ndeshjen e fundit në grup, që pritet të vendosë për pozitën e parë.

Të mërkurën kampionia kosovare fitoi 11:1 ndaj kampionit të Islandës, Isbjorninn.

Ndaj skuadrës norvegjeze, Prishtina 01 kaloi në epërsi që në minutën e dytë.

Ramadan Alaj ishte realizator. Në minutën e dhjetë, Halim Selmanaj shënoi për 2:0. Në minutën e 16-të golin e tretë për skuadrën prishtinase e shënoi Lushi Qerimi. Në minutën e 24-t shënoi Drilon Maxharraj e më pas në minutën e 29-të edhe Ermir Kryeziu.

Golin e vetëm skuadra norvegjeze e shënoi në minutën e 33-të. Pozita e parë në grup siguron avancimin në raundin kryesor të Championsit.

Ndërkohë kalimi tutje është i mundur edhe prej pozitës së dytë. Por synim i skuadrës kosovare mbetet pozita e parë.