Granit Xhaka

Titulli i Bundesligës, kulmi i karrierës së madhe të Granit Xhakës

Kur lëvizja e Granit Xhakës nga Arsenali te Bayer Leverkuseni u finalizua verën e kaluar, shumë njerëz mbetën të habitur. “Blick” po ashtu kishte shkruar për “humbje sportive”.
Nga një top-klub i Premier Leagues, ligës më të mirë në botë, te klubi i Bundesligës i mbështetur nga korporata Bayer dhe i quajtur “klubi pilulë”, që pavarësisht vazhdimësisë dhe suksesit sportiv, ka imazh humbës.

“Të gjithë që më njohin e dinë saktësisht që unë mendoj gjëra të mëdha. Nuk do të jetë ndryshe në Leverkusen”, kishte thënë Xhaka për SDA. “Jam më i pjekur, po kthehem në Gjermani si njeri me shumë përvojë. Dua të arrij shumë me Bayerin, përfundimisht të kthehem në Ligën e Kampionëve dhe të fitoj titullin. Jam i bindur për të ardhmen e madhe”.

Kapiteni i Zvicrës mbajti premtimin e tij. Në vitin e parë të kontratës pesëvjeçare ai fitoi titullin me Bayerin, që shumë njerëz në Leverkusen nuk e kanë shpresuar më. Dhe atë pesë xhiro para fundit, që do të thotë se dominimi i Bayernit përfundoi pas 11 vjetësh.

Xhaka së bashku me Jonathan Tah dhe Florian Wirtz ishin pikat më të rëndësishme të skuadrës së Bayerit. Kur trajnerin Xabo Alonso bëri ndryshime gjithnjë e më shumë në javët e fundit për shkak të angazhimeve të shumëfishta, një lojtar luajti gjithnjë – Granit Xhaka. Ai ishte në përbërjen bazë në secilën ndeshje në ligë. Dhe kur ai dhe Wirtz qëndruan në stol për gati një orë në ndeshjen në udhëtim ndaj Karabaghut në Ligën e Evropës, Leverkuseni shmangu humbjen e parë të edicionit vetëm në minutat e fundit, falë dy golave.

Shifrat tregojnë shumë. Askush nuk ishte në fushë aq shpesh. Askush nuk ka vrapuar aq shumë. Askush nuk ka pasur kontakte me topin sa 31-vjeçari Xhaka. Rreth 117 për ndeshje, 21 më shumë se lojtari i dytë në listë. Me rreth 93 pasime të pranuara, ai është i dyti në ligë.

“Unë nuk po bëhem më i ri. Por as më i vjetër”, kishte thënë Xhaka në një intervistë në muajin shkurt.
Për ta thjeshtësuar: Granit Xhaka kurrë nuk ka qenë kaq i mirë.

Titulli i kampionit me Leverkusenin, i pari jashtë Zvicrës, është kulmi i një karriere të planifikuar me kujdes. Si kampion i botës për grupmoshën U17 në vitin 2009, Xhaka shpërtheu te Baseli dhe u bë kampion i Zvicrës dy herë. Lëvizja jashtë Zvicrës u bë me kujdes. Në vend se të shkonte shumë herët në Premier League, mesfushori kaloi te Borussia Moenchengladbachu në vitin 2012. I kalitur në Bundesligë, ai vazhdoi në Premier League në vitin 2016.

Fillimi tek Arsenali nuk ishte i lehtë, por Xhaka mbijetoi. Fitoi Kupën FA dy herë, u bë kapiten dhe luftoi e u kthye kur nuk ishte i pëlqyer i tifozëve. Nga Arsenali u largua si njëri prej lojtarëve kryesorë dhe shumë i pëlqyer nga tifozët.

Erdhi te Leverkuseni dhe po shkruan histori. Udhëhoqi në fushë skuadrën drejt titullit të parë. Por edicioni nuk ka përfunduar për Leverkusenin e Xhakën. Dy trofe ende presin, Kupa e Gjermanisë dhe Liga e Evropës.