Tite synon minimumi finalen e Copa Americas

Sipas përzgjedhësit të Brazilit, Tite 5 herë kampionët e botës duhet të arrijnë të paktën finalen e Copa Americas që zhvillohet verën e adrshme pikërisht në Brazil, për herë të parë që nga viti 1989.

Brazili futet si favoriti më i madh i kompeticionit ndërsa për Titen përveç finales gjithçka tjetër do të cilësohej dështim.

“Selecao” ishte një prej favoritëve edhe në Kupën e Botës që u mbajt këtë verë në Rusi por u eliminua në çerekfinale nga Belgjika, ndërsa nuk e ka arritur finalen e Copa Americas prej vitit 2007 kur e mposhtën Argjentinën.

“Ne duhet të luajmë shumë mirë dhe të fitojmë, duhet të jemi kampionët. Minimalisht të arrijmë finalen. Por para kësaj duhet të zhvillojmë ndeshje të mira. Unë dua të japë më të mirën nga vetja dhe të përmirësohem secilën ditë”, theksoi Tite.

Brazili takohet sonte me Uruguain në një ndeshje miqësore në Angli, ndërsa pas 4 ditësh përballet me Kamerunin në një tjetër ballafaqim miqësor.