Trajneri i Brazilit, Tite, tha se i kupton tifozët, pse ishin disi të irrituar, pas fillimit të dobët të “Selecao” në Copa America.
Dopieta e Philippe Coutinho dhe goli i Everton siguruan fitoren e plotë, 3-0 ndaj Bolivisë, por loja e vendësve nuk ishte e shkëlqyer. Sidomos pjesa e parë në “Estadio do Morumbi” la një shije të keqe, ndoshta edhe për faktin se Brazili e kishte nënvlerësuar kundërshtarin.
I pyetur për ndeshjen, Tite, ekipi i të cilit po luante pa yllin e lënduar, Neymar, u tha gazetarëve: “Ne e ndjemë mungesën e tij. Duke qenë një kombëtare e madhe, ndonjëherë, kur nuk prodhoni raste e gola, mos prisni që tifozët të të mirëkuptojnë. Kur e pasoni topin kaq gjatë, nga mbrojtësi qendror te portieri kundërshtar, gjëja e parë që dëgjoni është BOOOOOOO! Ne duhet t’i mirëkuptojmë tifozët. Nëse shkojmë përpara dhe krijojmë shanse, atëherë ata do të na duartrokasin”.
Brazili, çerekfinalist i Kupës së Botës 2018, festoi fitoren e 100-të në Copa America, ndërkohë që gjigantët e Amerikës Jugore synojnë trofeun e nëntë të këtij lloji. Tite dhe të tijtë do të udhëtojnë drejt Bahia për përplasjen e së martës, kundër Venezuelës, aty ku kapiteni Dani Alves do të shijojë mundësinë e të luajturit në shtëpinë e vet.
“Është normale të kesh presion në Sao Paulo, aty ka shumë tifozë të klubeve, kështu që gjithmonë është e komplikuar të luash, por kemi treguar personalitet, – tha Alves, ndërsa diskutoi për atmosferën e së premtes. – Eshtë ndryshe në Bahia, njerëzit e adhurojnë ekipin e Brazilit, ndaj do të na shërbejë shumë energjia që sjellin në stadium. Sigurisht, atmosfera do të jetë më e gjallë se këtu”.







