Tifozët e vërshëllejnë në ndeshjen e fundit, reagon Leo Messi

Lionel Messi luajti ndaj Clermontit ndeshjen e fundit me PSG-në. Kampioni i botës me Argjentinën, mbylli zyrtarisht aventurën 2-vjeçare në kryeqytetin francez.

Një pjesë e tifozëve të PSG-së nuk i kursyen kontestimet dhe vërshëllimat ndaj tij as në takimin e fundit. Një dashuri që nuk lindi kurrë mes 7 herë fituesit të Topit të Artë dhe turmës në “Parc des Princes”.

Gjithsesi, “pleshti” ka vetëm falënderime për këtë eksperiencë. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që kam qenë në gjendje të përfaqësoj këtë klub. Ishte fantastike të isha pjesë e kësaj skuadre dhe të luaja përkrah shumë lojtarëve të mirë.

Do të doja të falënderoja klubin për këtë përvojë të mrekullueshme në Paris”, theksoi 35-vjeçari. E ardhmja e të cilit është e ndarë mes kalimit në Arabinë Saudite dhe rikthimit te Barcelona.

Gjatë dy sezoneve me PSG-në, Messi fitoi titullin kampion (2x) dhe Superkupën e Francës. Ai zhvilloi 75 ndeshje, shënoi 32 gola dhe dhuroi 35 asiste.