“Edhe Barcelona ishte e parashikueshme, por fitonte”. Kjo ishte mbrojtja e Maurizio Sarrit, kur u pyet kohët e fundit pse nuk bën ndryshime kurrë në formacionin e tij fillestar.

Për fat të keq për të, megjithatë, Chelsea nuk po fiton më nën drejtimin e trajnerit italian dhe tani është jashtë FA Cup, pas një humbjeje 0-2 në shtëpi, ndaj Manchester United. Ky dështim i radhës vjen pak më shumë se një javë pas largimit nga top katër e Premier League, pas një humbjeje poshtëruese 6-0 ndaj Manchester City.

Sarri ka nevojë për kohë që të zbatojë stilin e tij “të nuancuar” të futbollit, natyrisht, por durimi tani ka sosur në “Stamford Bridge”. Ndryshe nga “filozofi” tjetër, Pep Guardiola, që kaloi një sezon të parë të vështirë në “Etihad”, ish trajneri i Napolit nuk mund të tregojë lavditë e kaluara për të kundërshtuar skeptikët.

Në të vërtetë, kur Chelsea ishte në disavantazhin e dy golave, koret e tifozëve shpërthyen: “F *** Sarriball”! Tifozët, gjithashtu, kërkuan të shihnin Callum Hudson-Odoi në fushë, por Sarri me kokëfortësi i shpërfilli ata. Zëvendësimet e tij ishin të parashikueshme. Willian dhe Ross Barkley hynë në vend të Pedro dhe Mateo Kovacic, respektivisht.

Asnjëri nuk pati ndonjë ndikim pozitiv, sepse Chelsea dështoi keq ndaj një ekipi që kishte ardhur në Londër me ngarkesën psikologjike të humbjes në Ligën e Kampionëve, kundër PSG, dhe pa dy lojtarët kryesorë; Anthony Martial dhe Jesse Lingard.

“Djajtë e Kuq” thjesht kopjuan planin e lojës që Tottenham, Everton, Leicester City dhe Arsenal kanë implementuar në ndeshjet e fundit kundër Chelsea dhe triumfuan.